Mustafa nxjerr vendim që u ndalon zyrtarëve të plotësojnë aplikacionet e bujqëve
Ministri në detyrë i ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, u ka bërë thirrje bujqëve që të mos prnaojnë që zyrtarët e ministrisë t’ua plotësojnë aplikacionet.
Mustafa theksoi se kjo është bërë për ta parandaluar konfliktin e interesit dhe mundësinë e keqpërdorimeve, duke nxjerr një vendim që ndalon zyrtarët të marrin pjesë në përgatitjen e aplikacioneve.
“Për të ndaluar konfliktin e interesit dhe mundësitë e keqpërdorimeve si dhe për të rritur transparencën, mbrojtjen e të drejtave të bujqve dhe trajtimin e barabartë të tyre, kam nxjerrë sot vendim që u ndalon të gjithë zyrtarëve të MBPZhR-së në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të marrin pjesë në përgatitjen e aplikacioneve, apo pjesëve të aplikacioneve, për bujqit që aplikojnë për grante dhe subvencione nga kjo ministri për vitin 2020”, shkruan Mustafa.
Madje, sipas tij është i pari vet ministri i cili e ka nënshkruar këtë deklaratë, nën betim për evitim të konfliktit të interesit. “Të gjithë zyrtarët e MBPZhR-së, tash e tutje, janë të obliguar që të nënshkruajnë deklaratë nën betim për evitim të konfliktit të interesit dhe vet e kam nënshkruar i pari deklaratën”, bëri të ditur Mustafa në një postim në “Facebook”.