Mustafa: Opozita duhet të bashkëpunojë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja

09 shtator 2018 | 12:09

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se idetë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve janë të rrezikshme dhe të papranueshme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se idetë e tilla mund të kenë pasoja vargore jo vetëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit.

“Presidenti Thaçi nuk ka të drejtë ta promovojë korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, sepse me këtë po e shkel Kushtetutën. Për dialog ai duhet të ketë mandat të 2/3 të Kuvendit. Pa këtë mandat çdo marrëveshje është e paqëndrueshme dhe e pazbatueshme. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe z. Mogherini, Vuçiqi dhe BE-ja”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas tij, marrëveshja e parë e nënshkruar nga Thaçi dhe as dokumenti i parimeve i nënshkruar nga Mustafa nuk i japin Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kompetenca ekzekutive dhe të pushtetit të tretë.

“E kam sqaruar se Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe iu kanë vënë themelet me marrëveshjen e parë të nënshkruara nga z. Thaçi atëherë kryeministër dhe e ratifikuar me mbi 2/3 nga Kuvendi i Kosovës. Për të qenë korrekt, duhet të shtoj se as marrëveshja e parë e nënshkruar nga Thaçi dhe as dokumenti i parimeve i nënshkruar nga unë nuk i japin Asociacionit kompetenca ekzekutive dhe të pushtetit të tretë. Deklaratat për këtë po jepen nga diletantë politikë, të cilët kanë mbetur në lendinë, pasi LDK-ja nuk po i bashkëngjitet këtij dialogu me njerëz që nuk kanë legjitimitet politik dhe kushtetues. Republika Serpska e ministrit tonë të Drejtësisë dhe e mentorëve të tij duhet të parandalohet me marrëveshjen e re. Prandaj, këtu qëndron edhe sikleti i tyre!”, ka theksuar ai.

Mustafa ka folur edhe për punën njëvjeçare të Qeverisë Haradinaj. Ai ka theksuar se ky koalicion qeverisës po e dëmton vendin dhe po e rrezikon stabilitetin buxhetor.

Lideri i LDK-së ka vlerësuar se Kuvendi nuk po funksionon normalisht dhe se Qeveria po merr vendime arbitrare.

“Kjo ka shkaktuar që Kosova si shtet me sistem parlamentar të abuzohet nga presidenti dhe të duket se është shtet presidencial, sepse punët që duhet t’i ushtrojë Qeveria dhe Kuvendi në mënyrë jokushtetuese po i ushtron presidenti i vendit”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se ky koalicion, po të ishte i mençur, një orë e më parë do ta shpërndante Kuvendin dhe do të shkonte në zgjedhje të reja.

Ai ka paralajmëruar bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosjen për të krijuar kushte për zgjedhje të reja dhe për qeverisje të mirë të vendit.

“Epoka e re”: Z. Mustafa, pas një pauze të gjatë, për shkak të problemeve shëndetësore, tashmë i jeni kthyer skenës politike. Çfarë vlerësimi keni për koalicionin qeverisës PAN, i cili këto ditë mbush një vit prej se ka ardhur në krye të shtetit?
Mustafa: Pjesërisht i jam kthyer skenës politike. Kam nevojë edhe një kohë për pushim më të madh dhe për rehabilitim. Po bashkërendis punët me përkrahje të madhe të bashkëpunëtorëve të mi. Koalicioni qeverisës po të ishte i mençur, një orë e më parë do ta shpërndante Kuvendin dhe do të shkonte në zgjedhje të reja. Çdo ditë e qeverisjes së këtij koalicioni është në dëm të vendit dhe në dëm të tyre. Ky koalicion qeverisës është duke e dëmtuar vendin në skenën ndërkombëtare, po e rrezikon stabilitetin makroekonomik dhe buxhetor, e ka kanonizuar Qeverinë mbi baza të interesave, është i varur nga Lista Serbe e cila diktohet nga Beogradi. Kuvendi nuk funksionon normalisht, kurse Qeveria merr vendime arbitrare për të cilat më vonë do të ketë probleme ligjore. Kjo ka shkaktuar që Kosova si shtet me sistem parlamentar të abuzohet nga presidenti dhe të duket se është shtet presidencial, sepse punët që duhet t’i ushtrojë Qeveria dhe Kuvendi në mënyrë jokushtetuese po i ushtron presidenti i vendit.

“Epoka e re”: Jeni i kënaqur me rolin e opozitës në përgjithësi dhe të LDK-së, partisë që drejtoni?
Mustafa: Roli i opozitës është i faktorit korrektues. Këtë po e bën grupi parlamentar i LDK-së. Nganjëherë edhe po i ngatërrojmë adresat, sepse opozita jonë është në Kuvend, ajo i referohet Qeverisë dhe qeverisjes së vendit; mënyrës se si po drejtohet Kuvendi dhe si po shkelen procedurat parlamentare. Si pasojë e disa inateve të së kaluarës, por edhe e arbitrarizmit të presidentit në raport me dialogun, nganjëherë fitohet përshtypja se më shumë merremi me të sesa me ata që po e qeverisin vendin. Duhet të bashkëpunojmë me partitë e tjera të opozitës, por edhe të pozitës për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Epoka e re”: Nga këndvështrimi juaj, si i keni parë dhe si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike?
Mustafa: Skena politike është fyese dhe komprometuese për qytetarët e Kosovës, por edhe para opinionit ndërkombëtar. Në dhjetë vjetët e fundit gjendemi në fazën më të ashpër të mosbesimit të ndërsjellë ndërmjet pozitës dhe opozitës, të mungesës së besimit dhe të bashkëpunimit. Është pasojë e makinacioneve të PDK-së dhe të kryetarit aktual të saj. Tani partitë shqiptare në pozitë nuk janë të vetëdijshme se janë në pakicë dhe se kanë mbetur në mëshirën e Listës Serbe.

“Epoka e re”: Nuk kemi parë një qëndrim tuajin sa iu përket veprimeve të deputetes së LDK-së, vajzës së ish-presidentit Rugova, Teutës, e cila në disa raste po del të jetë shpëtimtare për këtë koalicion qeverisës. A do të marrë ndonjë masë LDK-ja?
Mustafa: Para së gjithash, deputetja Rugova duhet t’ia sqarojë vetvetes se çfarë përfaqëson në Kuvendin e Kosovës. Ajo është deputete e LDK-së dhe e asnjë liste tjetër. E kemi përfshirë në listën tonë dhe e kemi përkrahur si vajzë të re dhe, si e tillë, ka marrë vota dhe besimin qytetar. Ndërkaq, LDK-ja nuk mund të diktohet nga jashtë se si duhet të sillemi ndaj deputetëve tanë.

“Epoka e re”: Aktualisht vendi po ballafaqohet me idenë për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovë dhe Serbisë, ide kjo e prezantuara nga presidenti Hashim Thaçi. Çfarë qëndrimi keni për këtë?Dhe si e shihni ecurinë e dialogut tash e tutje?
Mustafa: I shohim të rrezikshme dhe të papranueshme idetë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve. Idetë e tilla, që më parë janë promovuar nga qarqe nacionaliste dhe luftënxitëse në Serbi për kufij etnikë, por edhe nga individë të tjerë për marrëveshje shqiptaro-serbe, mund të kenë pasoja vargore jo vetëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, por edhe më gjerë në vendet e Ballkanit. Presidenti Thaçi nuk ka të drejtë ta promovojë korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, sepse me këtë po e shkel Kushtetutën. Për dialog ai duhet të ketë mandat të 2/3 të Kuvendit. Pa këtë mandat çdo marrëveshje është e paqëndrueshme dhe e pazbatueshme. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe z. Mogherini, Vuçiqi dhe BE-ja.

“Epoka e re”: Ish-bashkëpunëtorët tuaj në koalicionin qeverisës po ju akuzojnë se ju jeni fajtor për nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për të cilin po thuhet se do të ketë kompetencat ekzekutive, me të cilat veriu do të përfitojë një lloj autonomie.
Mustafa: Kam sqaruar se Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe iu kanë vënë themelet me marrëveshjen e parë të nënshkruara nga z. Thaçi, atëherë kryeministër dhe e ratifikuar me mbi 2/3 nga Kuvendi i Kosovës. Gjykata Kushtetuese, duke e trajtuar dokumentin e parimeve për këtë Asociacion, të nënshkruar nga unë, ku ka marrë pjesë edhe z. Thaçi si zëvendëskryeministër, ka konstatuar se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së parë dhe Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së parë. Për të qenë korrekt duhet të shtoj se as marrëveshja e parë e nënshkruar nga Thaçi dhe as dokumenti i parimeve i nënshkruar nga unë nuk i japin Asociacionit kompetenca ekzekutive dhe të pushtetit të tretë. Deklaratat për këtë po jepen nga diletantë politikë, të cilët kanë mbetur në lendinë, pasi LDK-ja nuk po i bashkëngjitet këtij dialogu me njerëz që nuk kanë legjitimitet politik dhe kushtetues. E kam sqaruar publikisht se sa i përket dokumentit të parimeve që unë e kam nënshkruar, para se të shkoj në Bruksel për nënshkrimin e tij, kam kërkuar dhe kam marrë me shkrim zotimet e përfaqësuesve më të lartë të BE-së se Asociacioni sipas këndvështrimit të tyre nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe të pushtetit të tretë. Republika Serpska e ministrit tonë të drejtësisë dhe e mentorëve të tij duhet të parandalohet me marrëveshjen e re. Prandaj këtu qëndron edhe sikleti i tyre!

“Epoka e re”: Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, edhe publikisht ju ka ftuar të bashkëpunonin dhe të merrni pjesë në protesta, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim mbrojtjen e territorit dhe largimin e presidentit Thaçi. Cili është qëndrimi i LDK-së për këtë bashkëpunim me LV-në, kur dihet se kjo parti, sa ishit kryeministër, ju sulmonte, madje edhe te shtëpia juaj?
Mustafa: Ne do të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen dhe me subjektet e tjera për çështje të tjera, për të krijuar kushte për zgjedhje të reja dhe për qeverisje të mirë të vendit.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i…