Mustafa: Pa asnjë hezitim do ta pranojmë mandatin për formimin e qeverisë
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se nuk e ka asnjë dilemë se do ta marrë mandatin për të formuar qeverinë e re posa të mandatohet nga shefi i shtetit bazuar në Kushtetutë.
Këtë qëndrim, Mustafa e ka dhënë në kohën kur Vetëvendosje është duke refuzuar të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re dhe presidenti ka paralajmëruar se do t’ia kalojë partisë së dytë mandatin nëse dështon Vetëvendosje.
“Në momenti që plotësohen kushtet kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet mandati dhe të arrijmë pajtim me partnerët për kriteret, LDK pa asnjë hezitim do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë”, ka thënë Mustafa, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Express”.
Kryetari i LDK-së ka rikujtuar edhe kohën e VLAN-it të vitit 2014, kur LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkonin që mandati për formimin t’i jepet partisë/grupacionit të dytë.
“Sa u përket kundërshtimeve, mund të rikujtoj opinionin se ishte LV-ja dhe LDK-ja që në vitin 2014 argumentonin dhe kërkonin që mandati t’i jepet partisë/grupacionit të dytë duke e arsyetuar mbi bazë kushtetuese”, ka thënë Mustafa.
Më shumë se tri javë kanë kaluar prej se Kosova është me qeveri të shkarkuar pasi 2/3 e deputetëve të Kuvendit ia morën besimin “Koalicionit të Shpresës”.
Në këtë situatë, Isa Mustafa ka thënë se shtetit i duhet një Qeveri me mandat për t’u përballur me COVID-19 dhe krizën ekonomike si pasojë e kësaj pandemie.
“Vendi duhet të ketë qeveri me mandat nga Kuvendi për tu përballur me virusin ‘Korona’ dhe me sfidat e tjera që e presin”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK-ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen LV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi LV-ja s’pajtohej me qëndrimin e LDK-së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pastaj, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Mmnistrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK-së me çka i dha edhe fund “Koalicionit të Shpresës”.
Ndërkohë, ditëve të fundit, janë përmendur edhe protestat nëse Kurti largohet nga ulësja e kryeministrit.
Por, këto paralajmërime s’i kanë bërë përshtypje Isa Mustafës, i cili ishte përballur me protestat e Vetëvendosjes sa ishte në pozitën e Kryeministrit.
“Sa u përket protestave të paralajmëruara, LDK-ja s’mërzitet fare për atë punë. Bile aq më pak kur për protesta trumbetohet nga mercenarë politik, në emër të internacionales shqiptare. Të tillët s’guxojnë të protestojnë në vendet e tyre, kurse Kosovën e konsiderojnë poligon të pa dhimbshëm”, ka thënë Mustafa. Një zyrtar i LV-së nga Tirana ka thënë të shtunën se do të ketë protesta të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë nëse Albin Kurti i shkarkuar me 2/3 e votave të deputetëve, largohet edhe nga ulësja e kryeministrit.
Për shkak të koronavirusit, Qeveria ka marrë masa policore për të mos lejuar përhapjen e COVID-19.
Edhe shefi i LDK-së sikurse ish-zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, është pro fillimit të heqjes së masave për të zhbllokuar ekonominë.
Mustafa është shprehur se Hoti “me përgjegjësi dhe argumente profesionale inicioi krijimin e kushteve për frymëmarrje ekonomike”.
Mustafa tha se askush nuk ka të drejtë që ta shndërrojë Kosovën në burg kolektiv.
“Askush nuk ka të drejtë që, duke e shfrytëzuar pandeminë, ta shndërrojë Kosovën në burg kolektiv. Kjo për fat të keq po ndodhë sot me të gjithë ne në kundërshtim me të drejtat kushtetuese”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Ndërsa të martën, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së me shumicë votash i ka thënë “PO” një koalicioni me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet për formimin e qeverisë së re.
Nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.