Mustafa: Pa certifikimin e rezultateve, me Kurtin mund të takohem vetëm për kafe
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë të ditur se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje, pa ndodhur certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Nuk do të ketë asgjë serioze pa certifikimin e rezultateve. Rezultatet nuk do të certifikohen për 15 ditë ose 20 ditë, sepse deri atëherë nuk e dimë përfundimisht sa deputetë do t’i ketë LDK-ja, sa do t’i ketë LV-ja dhe si do ta konstituojmë një marrëveshje të ardhshme të koalicionit. Ne mund të takohemi me pi kafe, por s’mund të takohemi të bëjmë marrëveshje, sepse gjërat nuk kanë përfunduar. Unë e shoh që është një presion nga publiku herë do të na fajëson neve herë VV-në, në të vërtetë nuk ka të drejtë askush të na fajësojë sepse ne po e bëjmë punën tonë sa i përket harmonizimeve të programit qeverisës, por marrëveshje nuk mundtë bëjmë pa certifikim të rezultateve”, ka thënë Mustafa.
Mustafa në këtë intervistë për “EkonomiaOnline”, ka folur edhe për punën e grupeve punuese të dy partive për harmonizimin e programit qeverisës. Ai ka thënë se janë pajtuar në shumicën e temave, por që kanë mbetur edhe disa tema të hapura të cilat do të përmbyllën ndërmjet dy liderëve politikë.