Mustafa: Pa ShBA-në s’ka marrëveshje finale me Serbinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se pa pjesëmarrjen aktive të ShBA-së në procesin e dialogut nuk ka marrëveshje finale me Serbinë.
Mustafa ka thënë se duhet të ketë konsultim dhe pajtim të të gjithëve përfshirë presidentin, kryeministrin, partitë e koalicionit qeverisës dhe opozitën për marrëveshjen për njohjen reciproken mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se dialogu që është duke u zhvilluar në Bruksel është politik dhe se rolin e kryeministrit Avdullah Hoti nuk mund ta marrë askush.
“Askush nuk e zëvendëson dhe nuk e merr rolin e kryeministrit në dialog. Por, është e pamundur që kryeministri të bisedoj për çdo gjë dhe në të gjitha fazat. Dialogu është politik, edhe temat që diskutohen në nivel të koordinatorit shtetëror janë politike, jo teknike”, ka thënë Mustafa.
“Sa i përket ShBA-së, unë ndaj mendimin se nuk ka marrëveshje pa pjesëmarrje aktive të tyre në këtë proces. Jo vetëm që Kosova do të konsultohet ngushtë me ShBA-të, por ajo pret që ShBA-ja do të jenë në tavolinën e dialogut. Prandaj e vlerësoj ftesën që departamenti i shtetit ia ka bërë z. Hyseni dhe vizitën e tij në Uashington”, ka thënë Mustafa për “Express”.