Mustafa për 4 Korrikun: Kosova përjetë mirënjohëse ndaj ShBA-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Mustafa ka thënë se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj do t’i jenë përjetë mirënjohës ShBA-së për rolin vendimtar në lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit tonë.
“Qytetarët e Kosovës e përjetojnë me ndjenja të veçanta respekti 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së ShBA-së. Vlerat dhe parimet më të larta njerëzore mbi të cilat u themelua dhe u ndërtua demokracia dhe kombi amerikan, u bënë udhërrëfyes për triumfin e lirisë dhe ndërtimin e shteteve tjera demokratike anekënd botës. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj do t’i jenë përjetë mirënjohës ShBA-së për rolin vendimtar në lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Urime 4 Korriku! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/