Mustafa për ‘arnim të qeverisë’ me PDK-në: ‘Kësaj pune i ka dekë nëna’
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë spekulimet se kjo parti mund të bëjë arnim të Qeverisë me PDK-në.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se “kësaj pune i ka dekë nëna”.
“Sa i përket blerjes së kohës për të arnuar qeveri me PDK-në, siç po tentojnë ta komentojnë disa, u them se për LDK-në ‘kësaj pune i ka dekë nëna’. Të mos i maltretojmë qytetarët me teori konspirative, por ti ftojmë të bëhemi gati për zgjedhjet e shtatorit”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë i Mustafës:
E konsideroj të arsyeshëm dhe të peshuar mirë vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të caktuar më 22 gusht seancën për shpërndarjen e Kuvendit. Seanca nuk duhet të dështojë për mungesë të deputetëve ose të shumicës prej 2/3.
Zgjedhjet organizohen për t’ua mundësuar qytetarëve të shprehin masivisht vullnetin politik e jo për inat të njëritjetrit. Prandaj nuk është e arsyeshme të ndodhin në kohë pushimesh. Sa i përket blerjes së kohës për të arnuar qeveri me PDK-në, siç po tentojnë ta komentojnë disa, u them se për LDK-në “kësaj pune i ka dekë nëna”. Të mos i maltretojmë qytetarët me teori konspirative, por ti ftojmë të bëhemi gati për zgjedhjet e shtatorit. IM