Mustafa për balotazhin: U vërtetuan mashtrimet e LV-së, ‘Guxo’ mbeti askund
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se zgjedhjet lokale dëshmuan se mashtrimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë treguar arrogantë ndaj opozitës dhe ndërkombëtarëve. Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se është fat që Kurti dhe Osmani s’kanë fuqi sepse do ta shtynin Kosovën drejt luftës.
“Këto zgjedhje u zhvilluan në një ambient shumë më normal krahasuar me ato nacionale të 14 shkurtit në të cilat u promovua një histeri që ngjante me ato fashiste. Jo vetëm nga LV-ja dhe paterica e saj ‘Guxo’, por edhe nga disa media. Zgjedhjet lokale dëshmuan se ky ballon po shfryhet, mashtrimet po dalin në shesh dhe qytetarët po dëshmohen se janë vlerësues racional në afat të gjatë. Për fat të keq kam vërejtur se çdo gjë që e kanë kritikuar z. Kurti dhe znj. Osmani në të kaluarën e kanë bërë vet gjatë kësaj kohe, pa asnjë konsideratë. Ajo që veçmas i veçon është një arrogancë jo vetëm ndaj opozitës dhe votuesve të tyre, por edhe ndaj ndërkombëtarëve. Fati që s’kanë shumë fuqi se edhe në luftë do na shtynin”, ka thënë Mustafa për “Express”.
Më tutje, Mustafa ka thënë se Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme mund të mbetet partia e katërt.
“Tani duhet të kthjellen sepse nëse vazhdojnë kështu, në zgjedhjet e ardhshme LV-ja mund mbetet partia e katërt, kurse ‘Guxo’ askund, si sot”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se rikthimi i LDK-së në Prishtinë është i rëndësishëm edhe pse ka pritur që LDK-ja do të fitojë në Gjilan, Podujevë dhe Vushtrri.
“Rezultatet e LDK-së janë të mira. Kam pritur se LDK-ja me meritë do të fitojë edhe Gjilanin, Podujevën dhe Vushtrrinë. Ndryshimet, të cilat ndodhën në Prishtinë i konsideroj shumë të rëndësishme, jo vetëm për LDK-në. Sesa do të funksionojë drejtimi i Prishtinës varet shumë nga përkrahja e asamblesë komunale, nga drejtorët, por edhe nga përkrahja e qeverisë. Tani ka kaluar fushata së bashku me edicionin e premtimeve dhe fillon ballafaqimi me realitetin i cili nuk është i thjeshtë e as bardh e zi. Uroj të kenë sukses të gjithë kryetarët e komunave”, ka thënë ai.