Mustafa për ftesën e Kurtit dhe Osmanit: LDK-ja gjithmonë ka qenë e hapur për dialog
Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se do të jenë të hapur për biseda dhe dialog në konstituimin e institucioneve të reja.
Përkundër këtij vullneti, Mustafa ka deklaruar se nuk mund të flasë për gatishmërinë e kryetarit të ri, pas Kuvendit Zgjedhor të së dielës, që menjëherë të hënën të takohet me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
Duke iu përgjigjur ftesës së djeshme të këtyre të fundit, Mustafa nuk sheh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, LDK-ja nuk është parti e barrikadave duke shtuar se nuk janë si të tjerët që kanë gjuajtur me gaz dhe molotov kur është dashur të bisedohet.
“LDK-ja gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me molotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit, por se kur LDK-ja do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka deklaruar Mustafa për “KosovaPress”.