Mustafa për videot e LV-së: E ulët, çfarë kanë nevojë tani të merren me Thaçin?

14 tetor 2022 | 13:36

Videot e prezantuara nga Lëvizja Vetëvendosje ku i paraqesin “shkatërruesit e shtetit” janë vlerësuar si sjellje të ulëta nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se këto video po bëhen për ta larguar vëmendjen nga keqqeverisja, teksa përmend punët që janë kryer gjatë mandatit të tij.

Mustafa ka thënë se për këto 20 vjet janë bërë shumë punë, duke filluar nga çlirimi i Kosovës, pavarësia e deri te konsolidimi i shtetit me partnerët ndërkombëtarë.

“Po mua më kanë habitur ato sepse nuk është e zakonshme që partia në pushtet të merret tash me video të tilla. Nëse partia në pushtet do të punonte mirë, atëherë do të ishte pasqyra më e mirë se dallon për së mirë nga qeveritë e kaluara, dhe unë mendoj se nuk i shërben fare Vetëvendosjes dhe as Listës Guxo që janë së bashku e as kryeministrit, sepse janë sjellje shumë të ulëta”.

“Së pari aty ka shumë pasaktësi të madhe se gjithë ato që thuhen, shumica janë të pavërteta sepse nuk është e vërtetë që në të kaluarën është dëmtuar Kosova. Këtë pavarësi që e kemi ndërtuar, e kemi ndërtuar në këto 20 vitet e fundit. Nëse themi se për 20 vitet e fundit është dëmtuar Kosova, atëherë dalim te Serbia që Kosova paska qenë mirë me Serbinë e nuk është mirë me Pavarësinë e saj”, ka thënë Mustafa për “EO”.

I pari i LDK-së, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga ai nuk ka pasur asnjë rast të krimit e korrupsionit, dhe përparim të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka përmendur edhe nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim Asocim që është bërë gjatë qeverisjes së tij, teksa apelon që mos të merren më me njerëz që nuk janë më pjesë e politikës.

“Sigurisht që ka pasur dobësi, mirëpo ka pasur rritje ekonomike, ka pasur konsolidim të institucioneve, ka pasur përparim të marrëdhënieve me jashtë. Kemi arrit Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, ka pasur Qeveri që nuk ka pasur asnjë rast të krimit e korrupsionit e për të cilën flet tash Qeveria Kurti, sepse edhe Qeveria ime nuk ka pasur asnjë rast të tillë. Në atë kohë ne kemi bërë hapa të mëdhenj të marrëdhënieve me jashtë dhe janë akuza shumë të ulëta dhe të dëmshme, sepse kështu vetëm sa po acarohet relacionet ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe po akuzohemi edhe ne disa që tani nuk jemi pjesë e pozitës e as opozitës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa është shprehur i habitur edhe me përfshirjen e ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po përballet me Gjykatën Speciale.

“Çka ka nevojë tani të merren me zotëri Thaçin, ai i ka çështjet e veta në Gjykatën e Hagës. Prandaj është joparimore totalisht që të njerëzit që janë në pushtet të sillen në formë të tillë. Janë të pavërteta edhe gjërat që janë thënë për këto zhvatjet, për terminalet doganore, që nuk ka asnjë të vërtetë, mirëpo ne tani duhet të mbesim vetëm nëpër gjyqe individualisht me qeverinë dhe me Vetëvendosjen për akuzat e rrejshme të cilat të dëmtojnë publikisht e që askush nuk merr përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Georgina Rodriguez ka publikuar foto gjatë xhirimeve të dokumentarit të…