Mustafa përballet me ministren serbe në Forumin e Salzburgut
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, ka marrë pjesë në Forumin e Salzburgut, i cili po zhvillohet në Vjenë të Austrisë.
Në këtë takim ministerial janë përfaqësuar vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, në mesin e tyre Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Në këtë forum është diskutuar çështja e migrimit të paligjshëm, kontrolli kufitar, lufta kundër kontrabandimit me emigrantë dhe çështjet tjera të sigurisë.
Mustafa ka theksuar nevojën e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të origjinës së emigrantëve, si dhe në nivel të Bashkimit Evropian.
Në njoftimin e MPB-së është thënë se shtetet pjesëmarrëse janë informuar me veprimet që janë ndërmarrë në menaxhimin e fluksit të emigrantëve, si dhe veprimet e policisë në luftimin e kontrabandimit me emigrantë.
“Gjatë konferencës ministri Mustafa u përball disa herë me përfaqësuesen serbe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila duke përdorë mentalitetin e regjimit të Millosheviqit, u mundua të paraqesë fëmijët kosovarë të kthyer së fundmi nga Siria si terroristë dhe të rrezikshëm për rajonin e Evropën”, është thënë në njoftimin e MPB-së.