Mustafa përkujton Shaban Manajn, kërkon të zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar veprimtarin e kësaj partie, Shaban Manaj, në 20-vjetorin e vrasjes.
Ai ka thënë se Manaj ishte një personalitet i veçantë, atdhetar dhe intelektual i mirëfilltë, raporton “Epoka e re”.
“Sot bëhen 20 vjet nga vrasja tinëzare me motive politike e veprimtarit dhe avokatit të shquar, Shaban Manaj. Shaban Manaj ishte personalitet i veçantë i udhëhequr nga idealet e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, atdhetar, intelektual i mirëfilltë dhe veprimtar, i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Me plotë meritë u dekorua ‘Hero i Kosovës’ për kontributin e tij të dhënë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, në periudhat më të vështira. Populli i Kosovës dhe LDK-ja do ta përkujtojnë dhe nderojnë Shaban Manajn dhe të gjithë intelektualët dhe veprimtarët që punuan dhe dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë”, ka thënë Mustafa, duke kërkuar zbardhen e veprimtarëve të LDK-së.
“Shumë nga këta veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj Lidhja Demokratike kërkon që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të zbardhin vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit, për vrasjen e shumë personaliteteve të shquara pas çlirimit në rrethana ende misterioze për popullin e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt, përherë mirënjohës për sakrificën e tij”, ka thënë Mustafa.