Mustafa përkujton të rënët në masakrën e Reçakut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar të rënët në masakrën e Reçakut, në 20- vjetorin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme.
“Sot 20 vjet më parë, banorët e Reçakut u zgjuan të rrethuar nga forcat e regjimit serb dhe 45 banorë të pa armatosur të këtij fshati u masakruan pamëshirshëm po të njëjtin mëngjes. Të nesërmen, shefi i misionit të OSBE-së William Walker, pas një vizite nga afër, kishte deklaruar: ‘Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit!’”.
“15 janari i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda, të njërit nga vitet më të rënda, të historisë së Kosovës. Kjo ditë, po ashtu, i paraqiti botës fytyrën e vërtetë të regjimit të Millosheviqit dhe planeve të tij fashiste, duke shënuar kështu kthesën e madhe të qasjes së komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij regjimi që rezultoi në bombardimet e NATO-s 78 ditë rresht. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka thënë Mustafa.
/Epoka e re/