Mustafa: Pjesëmarrja në zgjedhje e fuqizon qeverisjen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, me rastin e votimit në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje sepse në këtë mënyrë ata e fuqizojnë qeverisjen e vendit.
“Sot konsideroj se është një ditë tepër e rëndësishme për Kosovën, ku qytetarët vendosin për fatin e tyre dhe për qeverisjen e tyre. Unë kam besim tek qytetarët, kam besim se Kosova do të ecë përpara, do të kalojë në binarë normalë, për zhvillim ekonomik, perspektivë për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë perspektivë për të rinjtë tanë”, ka thënë Mustafa, i cili në vendvotim shoqërohej nga bashkëshortja, Qefsere Mustafa.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se gjatë fushatës ka vërejtur më shumë njerëz dhe shpresoj të kemi më shumë votues gjatë këtij procesi zgjedhor.
/Epoka e re/