Mustafa: Platforma për Dialogun s’ka përcaktim direkt për territorin dhe sovranitetin
Kreu i LDK-së ka thënë se kanë vërejtje në përmbajtje të platformës së votuar nga Kuvendi i Kosovës për dialogun me Serbinë.
Sipas tij, kjo platformë nuk ka përcaktim direkt në çështjen për të cilën edhe është hartuar: territorin dhe sovranitetin e Kosovës.
Mustafa tha se në Platformë parafrazohet Kushtetuta e Kosovës e, sipas tij, në një rast të tillë atëherë nuk të nevojitet fare Platforma meqë mund t’i referohen direkt Kushtetutës.
“Nuk kemi një përcaktim eksplicit të asaj se askush nuk mund të diskutojë për çështje të territorit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ajo nuk ka hy si e tillë por është parafrazuar Kushtetuta atëherë mund t’i referohemi Kushtetutës sepse është dokument më i fuqishëm”, ka thënë Mustafa në “Rubikon” të “KTV”-së.
“E dyta pastaj është përbërja e Ekipit Negociator”, shtoi Mustafa.
Ndonëse roli i opozitës është i rëndësishëm në dialog, Mustafa tha se nuk u takon grupeve opozitare që të ulen e të diskutojnë në Bruksel.
Për këtë, tha Mustafa, është qeveria.“Mendoj se roli ynë si opozitë është që të jemi pjesë e procesit por jo te ulemi në Bruksel sepse atje shtetin e përfaqëson qeveria”, ka thënë ai.