Mustafa: Po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë me dije se nga ky muaj kanë filluar të intensifikojnë punën me strukturat e partisë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar se janë diskutuar për prioritetet, të cilave duhet t’u përmbahet LDK-ja në komuna dhe në nivel qendror, dhe siç ka thënë ai për ndryshimet që duhet të ndodhin, në mënyrë që Kosova të qeveriset mirë e pa korrupsion.
“Po shkëmbejmë mendime me strukturat dhe anëtarësinë e LDK-së për temat me rëndësi të veçantë për Kosovën. Po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit, duke ofruar zgjidhje evropiane për proceset që na presin. Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar LDK-ja doli bindshëm parti e parë. Të gjitha sondazhet e këtij viti, po ashtu, flasin se kemi besimin më të madh të qytetarëve. Por kjo nuk e mbron LDK-në nga marrëveshjet e fshehta dhe manipulimet që mund ti bëjë PDK në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj duhet të punojmë shumë me anëtarësinë dhe qytetarët për ta shtuar besimin e tyre në fitoren tonë të përbashkët”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se LDK-ja e ka thënë qartë se tani në asnjë rast nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e presidentit dhe as të Qeverisë.
“Do të punojmë që zgjedhjet e parakohshme të ndodhin sa më shpejtë, sepse LDK-ja ndan bindjen e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës se qeverisja e tanishme e vendit është e dëmshme për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Deri në shpartallimin e këtij koalicioni, LDK-ja nga këndi i opozitës do të mbroj interesat e vendit, në bashkëpunim edhe me partitë e tjera që i qëndrojnë besnike opozitarizmit”, ka deklaruar Mustafa.
/Epoka e re/