Mustafa: Presim mbështetje më të fuqishme nga Kosova dhe Shqipëria
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, e ka quajtur nder dhe përgjegjësi zgjedhjen në krye të këtij mekanizmi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka thënë se do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Mustafa ka deklaruar se fitorja e tij tregon se Partia për Veprim Demokratik (PVD) është subjekt i së ardhmes.
Ai ka bërë me dije se Këshillin të cilin do ta drejtojë gjatë këtij mandati do të jetë mekanizëm shtesë për realizimin e lirive individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginë.
Mustafa ka treguar se prioritete do t’i ketë cilësinë në arsim, kulturën, informimin si dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për raportet e Luginës së Preshevës me Kosovën dhe Shqipërinë duke thënë se rritja e bashkëpunimit me qeveritë e shteteve shqiptare është esenciale.
Në këtë drejtim Mustafa ka thënë se pret mbështetje më të fuqishme nga Kosova dhe Shqipëria si dhe një rol më aktiv të tyre.
Mustafa e ka komentuar edhe idenë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën për të cilën ka thënë se kërkon shumë punë dhe angazhim për t’u realizuar.
“Kjo fillimisht është ambicie e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Konsideroj se duhet shumë punë dhe një qasje serioze e strategjike ndaj kësaj ideje. Jam i bindur që në rrethanat në të cilat gjendet rajoni duhet të bëhet bashkë i tërë spektri politik në Kosovë për trajtimin dhe shqyrtimin si çështje e së drejtës historike dhe qasjes pragmatike. Kjo do të ishte një fitore e madhe për Luginën e Preshevës dhe për shqiptarët. Nuk mund të kemi standarde të dyfishta për trajtimin e pakicave në Ballkan dhe krahasimisht në Kosovë të favorizohet pakica serbe dhe në Serbi të diskriminohen shqiptarët. Andaj duhet shumë punë e angazhim për ta realizuar”, është shprehur Mustafa.
“Epoka e re”: Z. Mustafa, çfarë do të thotë zgjedhja juaj në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës?
Mustafa: Është përgjegjësi dhe nder i madh. Besoj se bashkërisht të pamundshmen mund ta bëjmë të mundur dhe në përshtatje me ambiciet legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës t’u qasemi zgjidhjeve dhe sfidave që kemi përballë.
“Epoka e re”: Si e komentoni këtë fitore të Partisë për Veprim Demokratik (PVD)?
Mustafa: Më lejoni të theksoj se Partia për Veprim Demokratik (PVD) jo vetëm se është fituese bindëse në këto zgjedhje, por ka treguar se është subjekti më i madh në Luginën e Preshevës si dhe është subjekti politik i së ardhmes. Është përgjegjësi dhe nder i madh.
“Epoka e re”: Duke qenë drejtues i këtij Këshilli, çfarë do të bëni për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë?
Mustafa: Këtë institucion e konsideroj vetëm si një mekanizëm shtesë që duhet marrë përgjegjësit e veta për realizimin e lirive individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Do t’i marrim praktikat më të mira në rajon dhe konform tyre do të kemi një qasje strategjike.
“Epoka e re”: Cilat do të jenë prioritetet tuaja gjatë këtij mandati?
Mustafa: Sigurisht nuk do të ndalemi në kërkimin e zgjidhjeve për mbështetjen e ambicieve legjitime të shqiptarëve, sigurisht edhe për konsumimin e kompetencave që siguron ligji dhe konventat përkatëse. Mbeten prioritete cilësia në arsim dhe sigurimi i mjeteve bazike për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor si dhe fushat jo më pak të rëndësishme si kultura, informimi dhe përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip.
“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për raportet e Kosovës me Luginën e Preshevës?
Mustafa: Është esenciale ta rrisim bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës, institucionet e Shqipërisë dhe jo vetëm. Raportet duhet shtuar përmes projekteve të përbashkëta që duhen implementuar. Pres mbështetje edhe më të fuqishme nga Kosova dhe Shqipëria dhe një rol më aktiv.
“Epoka e re”: Z. Mustafa, si e komentoni idenë e presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Luginës me Kosovën? Mund të realizohet një ide e tillë në këto rrethana?
Mustafa: Kjo fillimisht është ambicie e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Konsideroj se duhet shumë punë dhe një qasje serioze e strategjike për këtë ide. Jam i bindur se në rrethanat në të cilat gjendet rajoni duhet të bëhet bashkë i tërë spektri politik në Kosovë për trajtimin dhe shqyrtimin si çështje e së drejtës historike dhe qasjes pragmatike. Kjo do të ishte një fitore e madhe për Luginën e Preshevës dhe për shqiptarët. Nuk mund të kemi standarde të dyfishta për trajtimin e pakicave në Ballkan dhe krahasimisht në Kosovë të favorizohet pakica serbe dhe në Serbi të diskriminohen shqiptarët. Andaj duhet shumë punë dhe angazhim për ta realizuar.
Shqipe HETEMI