Mustafa pret në takim ambasadorin e Italisë, këto ishin temat që bisedoi me të
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Mustafa e ka njoftuar ambasadorin Sardi për qëndrimin e LDK-së mbi temat kyçe dhe zhvillimet politike në Kosovë.
“Temat kyçe të takimit ishin dialogu me Serbinë, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, korrupsioni dhe rendi dhe ligji. Kryetari Mustafa ritheksoi qëndrimin që LDK-ja mbështetë dialogun me Serbinë, si dy shtete sovrane që njohin njëra-tjetrën, por se LDK nuk mbështetë ndryshimin e kufijve mbi të cilët është shpallur dhe njohur Pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Bëhet me dije se kryetari Mustafa njoftoi ambasadorin Sardi edhe për iniciativën e LDK-së për të bashkërenditur veprimet e nevojshme me të gjitha partitë opozitare për ta rrëzuar këtë qeveri përmes mocionit të mosbesimit.
“Në fund, kryetari Mustafa falënderoi Ambasadorin Sardi për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme shtetformuese”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e LDK-së.