Mustafa: PTK-ja përballët me sfida të shumta
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, së bashku me Berat Rukiqi, kanë vizituar të premten drejtorin e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafën.
Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për medie, me ç’rast drejtori Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka thënë se kanë biseduar për gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje dhe zhvillimet e fundit rreth sulmit ndaj tij.
“Biseduam rreth sfidave të fundit me të cilat përballët Telekomi i Kosovës, përveç kësaj biseduam dhe për zhvillimet e fundit që i kisha si drejtor menaxhues. Sidat edhe pse disa herë i kam potencuar publikisht, mbesin të njëjta, qoftë ndaj prokurimit publik, po ashtu para dy vitesh ishte marrja e një shume të konsiderueshme të parave në emër të dividendës dhe në emër të aksionarit. Po thuajse në vazhdimësi kishte edhe përzije kompetencash në mes të bordit dhe menaxhmentit, pasi ka pas dhe interferime të shumta, sa që ishim në një situatë, të mos dihet kush e menaxhon kompaninë”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se përveç këtyre temë diskutimi ishte dhe pesha sociale e këtij institucioni. “Biseduam edhe për peshën e madhe sociale të cilën Telekomi i Kosovës e ka përveç ofrimit të shërbimeve, pasi ky institucion ka rëndësi të veçantë për vendin tonë”, ka deklaruar Mustafa.
Gjatë kësaj konference, Mustafa është pyetur nga gazetarët se sa është duke u sfiduar PTK-ja me operatorët ilegal. Në këtë kontekst, ai ka thënë se ka sfida, mirëpo në këtë aspekt është shënuar progres. “Si operatorë ilegal po janë më lehtë të qasshëm, më fleksibil dhe po depërtojnë shumë më shpejtë sesa ne si Telekomi i Kosovës. Mirëpo jemi duke bashkëpunuar me ARKEP-in dhe janë duke bëtë të pamundurën që sa më shpejtë t’i eliminojnë nga tregu, por është një proces që nuk është i lehtë, por megjithëkëtë jam më optimistë sesa isha dje në këtë drejtim”, deklaroi Mustafa.
Ndërsa kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se vizita e tij ishte për t’i dhënë mbështetje drejtorit Mustafa dhe menaxhmentit të tij, në rrugën e efikasitetit ekonomik, si dhe për të apeluar tek institucionet kompetentë për vëmendje ndaj këtij institucioni.
“Jemi këtu për t’i dhënë mbështetje Mustafës, për rastin e sulmit ndaj tij dhe për të dërguar një mesazh tek institucionet se rasti duhet të merr epilog. Besoj se prania jonë kështu është mbështetje morale për drejtorin, por edhe për institucionet e vendit. Vërtet ka qenë një akt i shëmtuar. Për imazhin e vendit të bëhet një akt i tillë, është dem i madh. Dua të besoj se drejtësia do ta thotë fjalën e vet dhe dukuritë e tilla ti kalojnë të kaluarës”, ka thënë Grërxhaliu.
Ai ka folur dhe për rëndësinë ekonomike dhe sociale të këtij institucioni. “Nëse duam të zëmë hapin e avancimeve duhet të rrisim financimin. Telekomi nuk e meriton të mbetet peng dhe mos të ketë liri në vendimmarrje, pasi është promotor i vlerave. Telekomi sa është i rëndësisë së aspektin ekonomik, është dhe i atij social. Është koha kur duhet të mendojmë për imazhin e Kosovës, është koha kur duhet vërtet të marrim praktika ngas vendet e rajonit”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka theksuar se Ligji i prokurimit duhet t’i jep përparësi prodhimeve vendore dhe në këtë drejtim edhe Telekomi të Kosovës. “Nëse mendojmë ta zëmë hapin e teknologjive moderne duhet mbështetje financiare. Nuk e meriton Telekomi i Kosovës të mbetët peng i kalkulimeve të ndryshme. Dua të besoj që Telekomi i Kosovës të jetë gjenerator ekonomik dhe promotor i vlerave dhe në këtë drejtim OEK-u është me PTK-në. Dua të besoj që bashkarishtë mund të ndryshojmë konstruksionin, duhet më tepër mbështetje nëse mendojmë që të kemi beneficione, investojmë sot që ta kemi më të lehtë”, ka thënë Gërxhaliu.
Albulena S. MAVRAJ