Mustafa: Qeveria Kurti mashtroi për reciprocitetin

26 maj 2021 | 17:12

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, po e sheh si mashtrim të Qeverisë Kurti, deklaratën e ministres së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila gjatë ditës së djeshme, tha se reciprociteti me Serbinë nuk është zgjidhje e problemeve.

Në një prononcim “Reporterin”, Mustafa ka thënë se reciprociteti me Serbinë ka qenë ndër kauzat kryesore të zgjedhjeve nga ana e të gjithë atyre që kanë garuar me Vetëvendosjen dhe në kuadër të kësaj partie, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurtin, presidenten Vjosa Osmanin, si dhe krykuvendarin Glauk Konjfuca.

“Mund të them se reciprociteti me Serbinë ka qenë ndër kauzat kryesore të zgjedhjeve nga ana e të gjithë atyre që kanë garuar me LV-në dhe në kuadër të LV-së, pra qeverisë së tanishme, presidentes dhe kryeparlamentarit. Të gjithë këta tani formalisht janë në rregull, sepse kanë marrë vota nga qytetarët aq sa iu nevojiten të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan”, ka thënë Mustafa.

Më tutje, Mustafa ka thënë se asnjë qeveri nuk ka mundësi që t’i ik dialogut me Serbinë.

“Të gjithë votuesit, mendoj se duhet ta keni ditur se dialogut me Serbinë s’mund t’i ik asnjë qeveri dhe ajo qeveri e cila vë pengesa për dialogun, bie, ashtu siç kanë rënë para kësaj”,

“Pra, alternativat janë të qarta për qeverinë dhe të tjerët. Ata që iu kanë besuar zotimeve dhe premtimeve të tyre, tani e shohin realitetin. Qeveria po mashtron , por votën e shumicës e ka marrë të mashtrojë, të bëjë çfarë të dojë. Për fat të keq, edhe miratimin e një pjese të opozitës, që i mundësoi Vetëvendosjes konsolidimin e pushtetit absolut”, ka thënë Mustafa.

Kjo deklaratë e Mustafës ka ardhur pasi ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dje ka thënë se nuk ka dashur që ta vendosë menjëherë reciprocitetin me Serbinë, por të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes dy shteteve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Latif Gashi- “Lata” i…