Mustafa: Qeveria po i rrezikon raportet me partnerët ndërkombëtarë
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj me veprimet e saj është duke i rrezikuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Kosovës i nevojitet një orientim i tillë dhe pa një të tillë ne nuk mund të shkojmë përpara. Ne ia kemi bërë me dije edhe Qeverisë aktuale që duhet ta ndërrojë qasjen e saj”, ka thënë Mustafa në një aktivitet me rastin e 29-vjetorit të themelimit të Forumit të Gruas në LDK.
Ai ka thënë se është në interes të qytetarëve që të ketë bashkëpunim me ndërkombëtarët në mënyrë që të përmbushet agjenda evropiane.
“Ne nuk i kemi dy shtëpi sikur Serbia që ka Rusinë dhe BE-në, por e kemi vetëm një. Pra neve na mungon që të bëhemi pjesë e BE-së dhe të kemi zhvillim ekonomik në vend”.
“Qeveria nuk po merret me interesat e qytetarëve. Problem i madh është korrupsioni, papunësia dhe kapja e shtetit”, ka thënë Mustafa.
Më tutje, Mustafa ka thënë se LDK-ja do ta jap kontributin e saj në procesin e dialogut me Serbinë
“Ne do të japim kontributin tonë në dialog me Serbinë, por do ta bëjmë këtë si opozitë”, është shprehur Mustafa.
/Epoka e re/