Mustafa: Radhën për dorëheqje e kanë Qeveria dhe Kuvendi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pak ditë më parë, e shpalli të jashtëligjshëm Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë.
Mustafa, ka thënë se partia e vet qysh në fillim kishte deklaruar se ky veprim shkel Kushtetutën e Kosovës, thotë se radha për dorëheqje tani është e Qeverisë dhe e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese foli. Shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun. Shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut. Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe VV, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun. Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD. Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria. Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN”, ka shkruar Mustafa.
Dorëheqjet nga Qeveria dhe Kuvendi, sipas Mustafës janë të nevojshme sepse ato udhëhiqen nga njerëz që kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Dy presidentë tanë kanë dhënë dorëheqje kur është konstatuar shkelje e Kushtetutës. Tani radhën e ka kjo Qeveri dhe ky Kuvend. Duhet të pajtohemi se nuk lejohet që Kosovën ta drejtojnë shkelësit e Kushtetutës”, ka përfunduar ai.
Kujtojë se gjashtë muaj pas mandatimit nga Kuvendi të ekipit negociator, të kryesuar nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetuese atë dhe Ligjin për Kompetencat e këtij delegacioni.
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese bashkëkryesuesi i këtij delegacioni Shpend Ahmeti, nga PSD, ka thënë se tërhiqet duke dorëzuar në Kuvend dorëheqjet.