Mustafa reagon për grackën e komedianëve rusë ndaj Kurtit: Ky është turp shtetëror

26 mars 2025 | 19:36

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar ashpër pas mashtrimit që i bënë kryeministrit Albin Kurti dy blogerë rusë.

Në një postim në Facebook, Mustafa e cilësoi këtë si një turp shtetëror dhe poshtërim ndërkombëtar, duke e akuzuar Kurtin për papërgjegjësi dhe amatorizëm në drejtimin e vendit.

“Ky nuk është një incident qesharak – është një TURP shtetëror. Një poshtërim ndërkombëtar që e vendos Kosovën në titujt botërorë si një vend i udhëhequr nga një amator i papërgjegjshëm,” ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

A e patë mjeshtrin e diplomacisë? Mjeshtrin e shahut 12 dimensional? Mjeshtrin e sigurisë, ushtrisë, kibernetikës, matematikës, fizikës, bojlerit e filterit?!?!

A mund të shkojë më poshtë se kaq? Kryeministri i Kosovës tonë, njeriu që pretendon se udhëheq një vend të pavarur dhe sovran, bie në grackën e dy komedianëve rusë, si një naiv i padalë, që s’di të dallojë mes një presidenti dhe një karagjozi me theks sllavo rus.

Ky nuk është një incident qesharak – është një TURP shtetëror. Një poshtërim ndërkombëtar që e vendos Kosovën në titujt botërorë si një vend i udhëhequr nga një amator i papërgjegjshëm. Derisa Ukraina po lufton për mbijetesë, Albin Kurti bën krahasime të mjerueshme me Talibanët dhe shet “sekrete” strategjike të shtetit tonë në një telefonatë që s’do e bënte as ndonjë student në vitin e parë të shkencave politike.

Në vend se të udhëheqë me vizion e maturi, Kurti vazhdon të sillet si një aktivist skutave të Prishtinës, i kapur në fantazitë e tij ideologjike, duke luajtur me fatin e qytetarëve të këtij vendi. Kjo është qeverisje për turp, jo për krenari. Në çdo vend serioz, një kryeministër që bie në kurthe kaq banale e mbyll karrierën politike menjëherë, kokulur, duke kërkuar falje. Por jo Kurti – ai është më i interesuar të ndërtojë fabrika municionesh imagjinare sesa të ndërtojë sigurinë e Kosovës reale.

Nëse kjo ishte fytyra e diplomacisë sonë, atëherë jemi më të zhveshur se kurrë. Në vend të NATO-s, për pak u futëm në “klubin” e budallenjve që bien pre e rusëve përmes telefonit.

Mjaft bre më me turpe kombëtare e ndërkombëtare! Mjaft më me një shtet që drejtohet nga një njeri që nuk di të dallojë as një palaço rus të TikTokut!

Turp. Turp. Turp.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook për…