Mustafa: Rritja ekonomike e ulët, nuk përmirësohet mirëqenia me 100 euro, me to mund të blihen vota
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka folur për zhvillimet e ekonomisë në Kosovë, për të cilën, qeveria Kurti për katër vjet me radhë ka pasur rrëfimin e saj.
Në një intervistë për “Express”, politikani dhe ekonomisti veteran që ka mbajtur edhe postin e kryeministrit në dekadën e kaluar u është përgjigjur edhe pyetjeve për përballjen me inflacionin, pretendimet e qeverisë për zhvillim ekonomik në vend, Ligjin për çmimet tavan, shtesat 100 euro për disa kategori, etj.
Mustafa ka thënë se rritja ekonomike aktuale, rreth 4 për qind është e ulët dhe nuk siguron standard të nevojshëm të jetesës dhe konkurrues me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Varfëria është dy herë me e lartë se papunësia”, ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës, inflacioni nuk zbutet me shtesa 100 eurosh, por me rritjen e të ardhurave në sektorin publik, si dhe zhvillimin e sektorit privat.
Më tutje, Mustafa ka thënë se Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike, e jo vetëm të krahasohet me vendet e Ballkanit.
Ish-kryeministri i Kosovës ka kritikuar kryeministrin aktual Albin Kurtin për qasjen ndaj bizneseve të mëdha, duke thënë se këto biznese numërohen me gishta.
“Në Kosovë mund të numërohen në gishta kompanitë e mëdha private. Ato luajnë një rol të madh në punësim dhe në mbushjen e arkës së shtetit nga tatimet. Përdorimi pezhorativ i fjalës oligark për bizneset e mëdha është pasojë e mentalitetit që është në kundërshtim me ekonominë e lirë të tregut” ka thënë Mustafa.