Mustafa: Rritja ekonomike, jo e qëndrueshme
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka vlerësuar se rritja e tanishme ekonomike prej rreth 4 përqindësh, sado që shumë e quajnë solide për Kosovën, nuk është e mjaftueshme. Sipas tij, ky ritëm i rritjes ekonomike është fragjil dhe jo i qëndrueshëm.
“Marrja e një rruge zhvillimi ekonomik me ritme më të shpejta çfarë i duhet Kosovës mbetet edhe në vitin 2020 çështje me më rendësi. Rritja e tashme ekonomike rreth 4 për qind, sado që shumë e quajnë solide për Kosovën, nuk është e mjaftueshme. Ky ritëm i rritjes ekonomike jo vetëm se është më tepër një rritje nga inicioni i disa faktorëve që lidhen me stadin zhvillimor dhe disa faktorë që vijnë nga jashtë, por është fragjil dhe jo e qëndrueshme. Për ta marrë drejtimin e duhur duhen fuqizuar forcat e brendshme zhvillimore dhe promovuar e zbatuar politikat që rritin ofertën vendore të produkteve për tregun e brendshëm dhe për eksport. Kjo kërkon një rritje të investimeve publike për nja 200 milionë euro dhe një rritje të investimeve private 500-700 milionë euro në vit”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë për “Epokën e re” se te rritja e investimeve publike ka probleme të mëdha, sidomos deformime në strukturën e buxhetit që janë krijuar me rritjen e pagave në sektorin publik.
“Ndërkaq rritja e investimeve private mbetet peng i dobësive në qeverisjen makroekonomike, moszbatimin e ligjit dhe korrupsioni i lartë. Qeveria e re duhet te ballafaqohet me këto probleme jo të lehta. Nga ana tjetër situata në shoqëri përgjithësisht mbetet peng edhe i defekteve për krijimin dhe funksionimin e institucioneve që prodhohen nga lufta primitive politike grupore e partiake për pushtet, duke e vënë pushtetin si qëllimin primar për t’i servisuar kastat partiake dhe të interesit grupor politik e ekonomik. Mbeten shumë të panjohura se si do të rrjedhin gjërat këtu, pas konstituimit të legjislaturës së shtatë të Kuvendit. A do të krijojë ky moment një praktikë të re institucionale apo negociatat për pushtet do ta devalvojnë edhe këtë dhe do të hyjmë në një situatë pritjeje, status quo, e cila do ta rrisë apatinë më shumë probleme shoqëruese degjeneruese. Urojmë që të ndodhë e kundërta dhe të ketë një kthjellim në logjikën dhe sjelljet e aktorëve politikë”, është shprehur Mustafa.
/Epoka e re/A.MAVRAJ