Mustafa: Samiti i Berlinit, i dobishëm për ta dinamizuar dialogun Kosovë-Serbi

28 prill 2019 | 16:17

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, një ditë para samitit të Berlinit, ku do të marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ky samit është i dobishëm për ta dinamizuar procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me ShBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Mustafës:

Procesi i Berlinit, i ideuar nga kancelarja Merkel, ka shtytë përpara rrjedhat e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, po ashtu, ka krijuar rrethana të reja të komunikimit ndërmjet këtyre vendeve.

Takimi i nesërm në Berlin është i dobishëm për të dinamizuar këtë proces.

Jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për tu evropianizuar institucionalisht.

Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së. Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

LDK-ja, si parti më e madhe në vend, është shprehur qartë për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme, sikurse që ka qenë dhe është e qartë se nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë e shpallur me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, karakterin unitar të vendit dhe që është e rrezikshme për regjionin dhe më gjerë.

Kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, dhe mendoj se pjesa dërmuese e subjekteve janë të qarta, e ka më lehtë edhe në Berlin edhe në Uashington, ua lehtëson punën edhe miqve tanë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në qendër të Komunës së Burimit, pranë bustit të dëshmorit…