Mustafa: Shqiptarët në Preshevë janë të ndarë
Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës Ragmi Mustafa, ka thënë se zgjedhjet e fundit të parakohshme i kanë ndarë keq shqiptarët.
“Në 6 vendvotime zgjedhjet duhet të përsëriten. Kemi një kryetar të përkohshëm të emëruar nga Beogradi në shtator të vitit të kaluar. Ka zgjedhur një të përkëdhelurin e saj. Gjithë aparati shtetëror ishte ngritur për të ndihmuar një parti politike të re, që ka vetëm dy vite në skenën politike në Komunën e Preshevës dhe një lider është enigmatik dhe i panjohur jo vetëm për shqiptarët, të cilët janë mashtruar nga ndërhyrje flagrante të industrisë së blerjes së votës”, deklaroi për “TopChannel”, Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.
Mustafa është një nga politikanët e vjetër të shqiptarëve të Luginës dhe thotë se kjo që po ndodh është skenar serbo-rus për të destabilizuar situatën dhe për ta shpopulluar Preshevën nga shqiptarët. Ai ishte në Tiranë, ku takoi Presidentin dhe kryetarët e partive të opozitës, ndërsa pret reagimin e qeverisë. “Presim reagimin e qeverisë së Shqipërisë për këtë situatë. Shqiptarët janë në rrezik, ata presin zgjidhje për problemet e tyre thelbësore. Sa të drejta të marrin serbët në veri të Kosovës, të marrin edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës nga Beogradi”, deklaroi Mustafa.
Në zgjedhjet e fundit konkurruan 4 lista shqiptare. Ato u mbajtën pas shpërndarjes së Asamblesë Komunale të Preshevës. Kryetari i komunës nuk zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, por atë e zgjedh partia që merr më shumë anëtarë në Asamble.