Mustafa: S’i besoj LDK-së, as Hazirit që s’e kanë parë draftin e Asociacionit
Ish-kryeministri Isa Mustafa beson se partitë opozitare e kanë parë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dokument ky i prezantuar në takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Ish-kryetari i LDK-së u shpreh i bindur se nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e ka konsultuar draftin sikurse edhe të gjithë krerët e opozitës që ishin në takim, duke shtuar se përfaqësuesi i BE-së nuk ka pasur arsye që dikujt t’ia prezantojë dokumentin e dikujt jo.
Sipas Mustafës, çdo ndryshim e plotësim i bërë sa i përket draftit të Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, raporton “Ekonomia Online”.
“Marrëveshje personale nuk ka, por ka nënshkrim personal, sepse marrëveshja e viti 2015 është ajo që siguron se statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e mira e asaj marrëveshje është që një gjë të tillë e ka pranuar Serbia. Pra ka pranuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Vlerësimi i statutit jo vetëm në fazën e prurjes së tij por edhe në të gjitha ndryshimet dhe plotësimet duhet t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë. Është një e arritur mjaftë e madhe që duhet ta shfrytëzojë edhe Qeveria, edhe Kurti, por jo vetëm ta shfrytëzojë që të mbulohet me Gjykatën Kushtetuese por që t’i bëjnë të gjitha përpjekjet që statuti që shkon në Gjykatën Kushtetuese të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën”, ka thënë Mustafa.
Ish-lideri i LDK-së thotë se draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk e ka parë, duke theksuar se atë duhet ta shohin deputetët dhe partitë opozitare.
“Edhe pse nuk besoj se ato nuk e kanë parë, edhe pse po thonë se nuk e kemi parë, sepse duan që të mbulohen për shkak të përgjegjësisë që kanë. Nuk mundet një përfaqësues i partisë opozitare ta shoh statutin në bisedë me Lajçakun e dy përfaqësues të tjerë mos ta shohin kur janë në të njëjtën sallë. Lajçaku nuk ka zgjedhur që dikujt t’ia tregojë (draftin) e dikujt tjetër jo, por është një përgjegjësi. Nuk i besoj as Hazirit as përfaqësuesve të LDK-së që nuk e kanë parë”, ka thënë ish-kryeministri Isa Mustafa.