Mustafa takohet me delegacionin shqiptaro-amerikan, flasin për rolin e diasporës në ShBA
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka pritur në takim një delegacion shqiptaro-amerikan në krye me ligjvënësin e Nju Jorkut, Mark Gjonaj, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në vendin tonë dhe rolin e diasporës shqiptare në ShBA.
“Gjatë qëndrimit në Kosovë, kisha nderin të pres në takim delegacionin shqiptaro-amerikan në krye me veprimtarin e çështjes kombëtare dhe ligjvënësin e New Yorkut, z. Mark Gjonaj. Me z. Gjonaj, Ismer Mjekun, Valon Nikçin dhe Agim Selmanajn zhvilluam një bisedë vëllazërore, duke prekur shumë tema të interesit shtetëror të Kosovës dhe të rolit të diasporës shqiptare në ShBA”.
“Shqiptarët që jetojnë në ShBA kanë qenë dhe janë një urë lidhëse shumë e rëndësishme e Kosovës me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin dhe Senatin e ShBA-së, e kanë ndihmuar vendin tonë në kohën e luftës dhe të shtetndërtimit. Delegacioni në krye me Mark Gjonajn kërkoi unitet të faktorit politik dhe atij intelektual të Kosovës si domosdoshmëri të ballafaqimit me proceset e rëndësishme që na presin. Ata e shohin Kosovën si vend të rëndësishëm për investime të diasporës nga ShBA-ja dhe Evropa”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/