Mustafa takohet me deputetët e CDU-së
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë me dije se mbrëmë ka takuar deputetët e CDU-së në Bundestagun Gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Bayer së bashku me drejtuesit e Konrad Adenauer Stiftung.
“Biseduam për çështjet aktuale në Kosovë, për bashkëpunimin regjional, veçmas atë ekonomik, dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Trajtuam, po ashtu, bashkëpunimin e LDK-së me CDU, si parti simotra në familjen e Partive Popullore Evropiane”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se përfaqësuesit e lartë gjermanë rikonfirmuan qëndrimin e tyre për dialogun dhe për kufijtë, që përputhet në tërësi me qëndrimin e LDK-së.
Në këtë takim morën pjesë edhe Agim Veliu e Lutfi Haizri, nënkryetarë të LDK-së dhe Vlora Dumoshi, anëtare e Kryesisë.