Mustafa takon ambasadorin Kosnett, e informon për qëndrimet e LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, sot ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Sipas komunikatës për medie të LDK-së, kryetari Mustafa e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për qëndrimet dhe vlerësimet e LDK-së mbi korrupsionin e lartë në vend, për dëmtimet nga ana e qeverisë ndaj marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë, përplasjet e udhëheqësve të institucioneve më të larta dhe për dialogun me Serbinë.
“Njëkohësisht kryetari Mustafa shpalosi programin e LDK-së mbi zhvillimin ekonomik, uljen e papunësisë, përmirësimin e arsimit, të shëndetësisë dhe forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit’, është theksuar në komunikatën e LDK-së.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka falënderuar ShBA-të për mbështetjen e pazëvendësueshme që i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë kohës, duke uruar që partneriteti me Amerikën të thellohet edhe më tutje.
Të pranishëm në takim kanë qenë edhe nënkryetarët Agim Veliu e Lutfi Haziri dhe anëtari i Kryesisë, Kujtim Shala.
/Epoka e re/