Mustafa: Taksa ndaj Serbisë, masë populliste dhe e pamatur mirë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, është një masë e merituar ndaj Serbisë, por sipas tij po ashtu është një masë populliste, e pamatur mirë në momentin që është marrë.
“Nuk ka nevojë të shfrytëzohet taksa për të bërë dallime të brendshme. Si kryetar i LDK-së kam theksuar se është një masë e merituar ndaj Serbisë, por po ashtu se është një masë populliste, e pamatur mirë në momentin që është marrë”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se LDK-ja është angazhuar dhe angazhohet për miqësi të përhershme me ShBA-të dhe partneritet me BE-në. “E vetmja rrugë e Kosovës për LDK-në, është rruga euroatlantike. Në këtë frymë është sjellë LDK-ja deri sa ka drejtuar Qeverinë por edhe në kohën kur presidentët e vendit ishin nga LDK-ja. Tani përgjegjësinë për vendimet që prekin në këto marrëdhënie duhet ta merr Qeveria dhe koalicioni qeverisës. Është rregull që ata që marrin vendime, vulosin edhe fatin e vendimeve të tyre”, është shprehur Mustafa.
Lideri i LDK-së ka thënë se dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. “Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon t’i mbulojë edhe më tutje”, ka thënë ai.
Mustafa ka theksuar se LDK-ja nuk e ka propozuar taksën. “Nuk ka ngarendë të merr merita dhe LDK-ja nuk konsideron se i takon asaj të shprehet se çfarë duhet të bëjë Qeveria me taksën. Kryeministri i ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra; sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri (që u ofruan të marrin merita) le të konsultohen me njerëzit e vet. Ata janë aty për të dhënë ndihmesën e tyre në punët e shtetit, jo që me para të shtetit ta sulmojnë opozitën”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka thënë se Serbia po vazhdon aktivitetin e ndyrë për tërheqje të njohjeve, por me të nuk po merren ndërkombëtarët.
“Të gjithë po merren me taksën e Kosovës. Taksa është bërë kusht nga Serbia për vazhdimin e dialogut, pra një lloj laure. Ne nuk i kemi vënë laura Serbisë. Se çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë për të vazhduar dialogu. Në momentin që ngrihet laura e taksës, askush nuk e di se ku e çon dialogu Kosovën. Askush nuk ka marrë siguri se Serbia do ta njohë Kosovën, askush nuk ka marrë garanci se nuk do të cenohet shtetësia e Kosovës. E vetmja gjë që vërehet është se dikujt po i ngutet?! Dhe e vetmja gjë që dihet është se punët e shtetit nuk bëhen me nguti”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
/Epoka e re/