Mustafa: Taksa s’u hoq sherri i qëndrimeve dogmatike e konspirative të kryeministrit
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se fajtor pse s’është hequr taksa është shkaku i qëndrimeve dogmatike dhe konspiracioneve të kryeministrit Albin Kurti. Mustafa ka thënë se taksa nuk u hoq sherri i LDK-së, por i sherri kryetarit të Vetëvendosjes. “Kryeministri nuk e hoqi tarifën shkaku i vetvetes, jo i LDK-së. Këto punë nuk bëhen me qëndrime dogmatike dhe me konspiracion. Për të mos dështuar, tarifa duhet të hiqet tërësisht”, ka thënë Mustafa për “Express”.
Kjo përgjigje e shefit të LDK-së erdhi pasi Albin Kurti sot drejtoi akuza në drejtim të LDK-së si fajtore për mosheqjen e taksës bazuar në versionin e Vetëvendosjes që kërkonte heqjen graduale të tarifës.
Mustafa e ka lidhur mosheqjen e tarifës edhe me gjendjen që është krijuar për shkak të virusit Covid-19. Ai thotë se në ditët në vijim problemet për furnizim mund të rriten. “Problemet, të cilat mund të rriten ditët në vijim me mungesë të drithit, miellit dhe të disa produkteve të tjera, flasin për paradoksin e ekzistencës së tarifës si pengesë për import të lirë”, ka thënë Mustafa.
I pari i LDK-së ka shtuar se partia e tij nuk do të pajtohet asnjëherë me heqje të pjesshme të tarifës dhe reciprocitet. “Prandaj, jo vetëm se nuk jemi pajtuar për heqje të pjesshme dhe reciprocitet, pa marrëveshje me aleatët tanë, por aq me pak do të pajtohemi në të ardhmen”, ka deklaruar Mustafa.
Vetëvendosja dhe LDK-ja kishin thënë se janë pajtuar 100 për qind kur lidhen koalicion dhe ndërtuan qeverinë e re. Mirëpo, ende s’e kanë një qëndrim të përbashkët për këtë problem.
Sherri i moslargimit të taksës kanë ardhur edhe sanksione nga ShBA-ja. Tashmë është konfirmuar se fondet e MCC-së janë bllokuar derisa nuk hiqet taksa. Shkaku i këtyre raporteve ka pasur senatorë që kanë kërkuar që edhe ushtarët amerikanë të largohen nga Kosova pasi qeveria s’po zbaton kërkesat amerikane.