Mustafa: Taksën e kësaj qeverisjeje po e paguan 100 për qind Kosova
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se taksën e kësaj qeverisjeje nuk po e paguan Serbia dhe Bosnja, por 100 për qind është duke e paguar Kosova.
Mustafa ka thënë se dyqanet janë përplot me mallra serbe dhe boshnjake, por sipas tij qytetarët gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, dhe punësimit partiak.
“Të nderuar qytetarë, tarifën e kësaj qeverisjeje nuk po e paguan Serbia dhe Bosnja. Njëqind për qind po e paguan Kosova. Derisa Drejtoria e Doganës deklaron se importet nga këto vende kanë rënë 99 për qind, shitoret janë përplot me mallra serbe e boshnjake. Kështu thonë qytetarët. Ndërkaq ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën/tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit dhe punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencioneve të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të prokurorisë dhe gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas Mustafës, në Kosovë për më shumë se një vit dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ka bërë që institucionet dhe opinioni publik të mos merren me zhvillim ekonomik, punësim, arsim e problemet e shëndetësisë.
Ai ka thënë se dialogu është shndërruar në instrument për ta mbajtur pushtetin.
“Thua se ushqimi për popullatën tonë është dialogu, se arsim është dialogu e shëndet është dialogu me Serbinë?! Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri-tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre”, ka theksuar Mustafa.
Kryetari i LDK-së ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e këtij koalicioni qeverisës.
“Nëse dikush nga koalicioni qeverisë e do këtë vend, dhe nuk dyshoj se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha, dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje. Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje. Dhe, vendim i drejtë i ndërkombëtarëve do të jetë të mos bëjnë presion për dialog, sepse as gjë e mirë, përpos ushqimit të popullizmit, nuk arrihet nën presion të tillë”, është shprehur Mustafa.
/Epoka e re/