Mustafa: Të vlerësohet mirë çështja e tarifave nga qeveria e ardhshme
Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet ta vlerësojë mirë çështjen e tarifave.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Mustafa ka bërë me dije se tarifa ndaj mallrave serbe nuk është vetëm çështje ekonomike. “Unë mendoj që duhet të vlerësohet mirë çështja e tarifave. Tani nuk është mbetur vetëm çështje ekonomike po është bërë edhe çështje politike karshi levës e kushtëzimit dhe mos kushtëzimit të dialogut. Unë mendoj që ato tarifa nuk mund të hiqen lehtë dhe nuk duhet të hiqen lehtë, sepse ne nuk mund të heqim tarifat përderisa kemi probleme të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Sot qytetarët e Kosovës po presin nga katër orë ose pesë orë në kufij për shkak të masave që ka marr Serbia dhe trajtimit të padrejtë të kufizimit të lëvizjes, të masave jo tarifore që po i merr Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk ka bërë vërejtje edhe nuk ka bërë trysni te Serbia që të sillet ndryshe. Prandaj nuk mund të themi që ne po i heqim tarifat e ju vazhdoni dhe mbani gjashtë orë edhe dhjetë orë qytetarët tanë në kufij edhe merrni masa tjera jo tarifore”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se kjo është çështje mjaft komplekse e cila duhet të trajtohet mirë nga një qeveri e ardhshme e cila duhet të kushtëzohet me zbatimin e krejt marrëveshjeve që janë bërë me Serbinë edhe me sjelljen normale të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet e reja, duke thënë se LDK-ja dëshiron të shkojë si e vetme në këto zgjedhje, ani pse nuk ka përjashtuar as mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor.
Sipas Mustafës, zgjedhjet e reja duhet të mbahen nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit.