Mustafa thotë se me Kurtin nuk diskutuan për postet ministrore e as për çështjen e presidentit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pas takimit me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë me dije se me këtë të fundit janë pajtuar që pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së t’i intensifikojnë takimet për arritjen e për koalicionin qeverisës.
Mustafa ka thënë se në këtë takim është vlerësuar puna e grupeve punuese për harmonizimin e programit qeverisës në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes.
“Vlerësuam harmonizimin e programit qeverisës që është bërë në këtë periudhë në mes të dy subjekteve politike”, ka thënë Mustafa.
Më tutje, Mustafa ka thënë se me Kurtin nuk kanë biseduar për ndarjen e posteve ministrore e as për çështjen e presidentit.
Ai ka thënë se këtë do ta bëjnë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
I pyetur për përfshirjen e Listës Serbe në qeveri, Mustafa ka thënë se për këtë çështje i mbetet mandatarit të qeverisë që të vendos për një gjë të tillë.
/Epoka e re/