Mustafa tregon çfarë i ka ofruar LDK-ja Listës Serbe në qeverinë e re
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), Isa Mustafa, ka treguar hollësi për marrëveshjen që ka arritur me Listën Serbe për bashkëqeverisje në rast se këtë të drejtë ia jep Gjykata Kushtetuese. Mustafa ka bërë me dije se në kabinetin e Avdullah Hotit për Listën Serbe do të ketë vend për dy ministra dhe për një zëvendëskryeministër.
“Me Listën Serbe kemi bërë marrëveshje siç e kemi bërë me subjektet e tjera politike. Para se të mbahet mbledhja e Kuvendit do të merremi vesh se cilat ministri ata do t’i kenë. Ata kryesisht e kanë pasur gjithmonë Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit dhe do të shihet cila ministri tjetër mund t’u takojë atyre”, ka thënë Mustafa për RTV21.
“Ata do t’i kenë dy ministri dhe një zëvendëskryeministër i cili do të jetë ministër i një ministrie përkatëse”, ka treguar Mustafa.
(B. D.: “Epoka e re”)