Mustafa: U krijua sinergji për mos t’ia lënë Prishtinën LV-së
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se në zgjedhjet lokale ishte krijuar një sinergji e të gjitha subjekteve politike opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Lëvizjes Vetëvendosjes.
Ai ka treguar se sinergjia ishte krijuar për shkak të frikës se LV-ja do të instalonte një pushteti arbitrar në nivel qendror dhe atë lokal.
“Sivjet u krijua një sinergji jo vetëm e LDK-së por edhe e subjekteve të tjera opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Vetëvendosjes. Kjo sinergji, vlerësoj se nuk ishte vetëm rezultat i vlerësimit të qeverisjes së VV-së me Prishtinën për rreth një mandat e gjysmë por edhe i frikës nga VV-ja. Frikë kjo e instalimit të një pushteti arbitrar në nivel qendror dhe lokal, duke e pasur parasysh se aktualisht VV ka krejt pushtetin: Qeverinë, Parlamentin dhe Presidenten. Tani po tenton ta marr edhe shtyllën e drejtësisë përmes një Vetingu të kundërshtuar nga BE”, ka thënë Mustafa për “KosovaPress”.