Mustafa: Unë nuk e kam themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ai nuk e ka themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe se vendimi për këtë Asociacion ishte nënshkruar nga Hashim Thaçi, sa ishte kryeministër i vendit.
Në një postim në llogarinë e vet në “Facebook”, Mustafa iu është drejtuar presidentit Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veselit, ministrit të Drejtësisë Ableard Tahiri, ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit dhe deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.
Postimi i plotë i Mustafës:
Më detyroni t’u them mjaftë mos gënjeni, Ty President Thaçi, Kryetar i Kuvendit Veseli, Ministër i Drejtësisë, Tahiri, Ministër i Shëndetësisë, Ismaili, deputete Kada-Bujupi.
Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe nuk e kam themeluar unë, sa isha Kryeministër, as LDK-ja. Vendimi për themelimin e Asociacionit lindi me Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e marrëdhënieve, të dt. 19 prill 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, në emër të Kosovës dhe nga Ivica Daçiq, në emër të Serbisë. Kjo marrëveshje është ratifikuar me Ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës me mbi 2/3 e deputetëve si marrëveshje ndërkombëtare. Nga 15 pikat e Marrëveshjes së parë, gjashtë pikat e para i destinohen Asociacionit , nënshkruar nga Hashim Thaçi), si vijon:
1. Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër nëse anëtarët janë në pajtim;
2. Bashkësia/Asociacioni do të themelohet përmes statutit. Shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse. Do të ketë garanci ligjore përmes ligjit aplikues dhe të drejtës kushtetuese (përfshirë rregullën për shumicën prej 2/3)
3. Struktura e Asociacionit /Bashkësisë do të themelohet mbi të njëjtën bazë si dhe statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, p.sh. Kryetari, Nënkryetari, Kuvendi, Këshilli.
4. Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit. Asociacioni/Bashkësia do të ketë vështrim të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe rural.
5. Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë siç mund të delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia/Asociacioni do të ketë rol përfaqësues te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një përfaqësues në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Në përmbushje të këtij roli parashihet funksioni monitorues.
Më 25 gusht 2015 unë kam nënshkruar dokumentin “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë-parimet themelore/elementet kryesore”. Në pjesën e bazës legale thuhet:
1) Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë themelohet si një asociacion/bashkësi e komunave e bazuar në Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe ligjet e Kosovës.
2) Bazuar në Marrëveshjen e Parë e cila njeh karakterin e veçantë, Qeveria e Kosovës do të adoptoj një dekret të aplikueshëm drejtpërdrejt, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Asociacioni/Bashkësia do të jetë entitet legal i definuar me Statut..
Është paraparë po ashtu (pika 21) që çdo ndryshim i Statutit i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Në të gjitha bisedat kam qenë unë si Kryeministër dhe z. Thaçi si zëvendëskryeministër.
Ky dokument thotë qartë se Asociacioni themelohet sipas ligjeve të Kosovës dhe se Statuti i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese. Pra se asgjë nuk është përfundimtare pa mendim të Gjykatës Kushtetuese.
Prandaj janë gënjeshtra se Asociacionin e kam themeluar unë si Kryeministër ose LDK-ja, se Asociacioni me këtë dokument ka kompetenca ekzekutive dhe është pushtet i tretë dhe se ai bazohet në Rezolutën 1244.
Para se të shkoj në Bruksel, unë kam kërkuar dhe kam marrë zotimet eksplicite, me shkrim, të përfaqësuesve më të lartë të BE-së se Asociacioni nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes dhe se nuk do të ketë fuqi ekzekutive. Këtë e dijnë edhe ata që kanë qenë me mua në këtë proces.
Është turp që të tentohet të njollosem unë dhe LDK me të pavërteta, për të krijuar hapësirë për të bërë pazare me territorin e Kosovës. Këta dhe lakejtë e tyre duhet ta kenë të qartë se nuk mund ta thyejnë LDK-në, se unë do të jam në krye të LDK-së deri në fund të mandatit dhe se për zgjedhjet e ardhshme shohim e bëjmë, prapë sipas vullnetit dhe besimit te anëtarësisë së LDK-së.