Mustafa: Ura duhet të hapet, s’u hap pasi Kosova s’ka arritur ta bindë NATO-n
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, e ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se ura mbi Lumin Ibër duhet të hapet, teksa bëri thirrje që të injorohet propaganda.
Sipas tij, Ura e Ibrit nuk është hapur sepse shteti i Kosovës nuk ka arritur ta bindë NATO-n për një gjë të tillë.
“Nuk ka faktor politik shqiptar që ka qëndrim ndryshe mbi këtë çështje tash e 25 vjet! Ura nuk është hapur sepse shteti i Kosovës nuk ka arritur të bindë NATO-n për një gjë të tillë. Sa shpenzon kohë ky pushtet popullist e propagandues në betejën për vota me faktorin shqiptar, ta shpenzojë këtë kohë me bindjen e ushtarëve të NATO-s që sot janë mbi urë”, ka shkruar Mustafa.
Dy ditë më parë, institucionet e Kosovës kanë bërë inspektimin e Urës së Ibrit e po ashtu edhe testime fizike, ku kamionë me pesha të rënda kanë qëndruar për disa minuta mbi të.