Mustafa: Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, prijës të kauzës për lirinë e Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, në 37-vjetorin e vrasjes së tyre.
“Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë mizorisht në vitin 1982 nga regjimi ish-jugosllav. Vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu ata u shndërruan në prijës të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë. Jusuf Gërvalla ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, që me vizionin e tij politik dhe vendosmërinë atdhetare, së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën u bënë prijës të lëvizjes kombëtare nën regjimin komunist dhe me përkushtimin e tyre të pashoq arritën të ngritin nivelin e organizimit dhe unifikimit të veprimtarëve shqiptarë në kuadër të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës”.
“Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij, pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav. Vrasja mizore e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës u krye nga ata që nuk e deshën Kosovën e lirë e demokratike”, ka thënë Mustafa.
/Epoka e re/