Mustafa: Vendimet e fundit të Qeverisë janë bërë për fushatë zgjedhore
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa tha se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto, është bërë në kuadër të fushatës zgjedhore.
Sipas Mustafës, Qeveria pas katër viteve në pushtet ka bërë një ndryshim në politikën fiskale.
“Tani më jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe këto veprime të Qeverisë janë pikërisht në kuadër të fushatës zgjedhore siç duket qeveria ia ka filluar mëheret se që duhet. Nëse i shohim këto masa që i ka ndërmarrë Qeveria shohim që pas katër vite qeverisje një ndryshim në politikën fiskale e cila ka efekt 6 euro e 80 cent në pagën e një të punësuarit, pra kjo na tregon për çfarë reforma fiskale po flasim apo për çfarë përmirësimi tenton të bëjë kjo Qeveri për jetën e një qytetari”, tha Mustafa.
Derisa, ai u shpreh se nëse një qytetar e ka pagën 350 euro, nuk është i liruar nga pagesa e tatimit.
Më tej, anëtari i PDK-së tha se Qeveria që nga viti 2022 nuk ka publikuar të dhënë për nivelin e pagës në Kosovë.
“Nëse e shohim masën e ndryshimit të kësaj politike fiskale shohim që ky lehtësim sipas politikes fiskale nuk arrin as pagën minimale, edhe nëse dikush do t`a ketë pagën 350 euro prapë se prapë nuk është I liruar nga pagesa e tatimit, por do t`i duhet që një përqindje e pagës t`a paguajë për tatim. Qeveria që nga viti 2022 nuk ka publikuar të dhëna për nivelin e pagës në Kosovë, dhe për këtë arsye ata mund të thojnë 150 mijë, por përshtypja e përgjithshme është që në Kosovë nuk mund të jenë 150 mijë punëtorë që kanë pagë nën 350 euro, për këtë arsye kjo pagë minimale e përcaktuar nga kjo qeveri më shumë është masë kozmetike në kuadër të fushatës së tyre”, ka deklaruar Mustafa në emisionin Ditari në Tëvë1