Mustafa: Vendimi dinarin është i drejtë, por i pamenduar mirë për zbatimin
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka komentuar Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në lidhje me mospërdorimin e dinarit në Kosovë, çështje kjo e cila ka nxitur reagime të mëdha të ambasadorëve të Quint-it dhe Brukselit zyrtar.
Mustafa ka thënë se vendimi i BQK-së është i drejtë, por i pamenduar mirë për zbatim.
“Është vendim i drejtë, por i pamenduar mirë për zbatimin. Është vazhdim i vendimeve, të cilat i kanë përballur në mënyrë të gabuar institucionet e Kosovës me ShBA-në dhe BE-në. Zbatimi i Rregullores së BQK-së do duhej të bëhet në bashkërenditje me ndërkombëtarët, për t’u ikur pasojave për të cilat po deklarohet ShBA-ja, e të cilat, koha ka treguar se nuk mund të parandalohen dhe evitohen pa bashkëpunim dhe koordinim.
“Do të jetë shumë e dëmshme për Kosovën, nëse vendimet që janë të bazuara në Kushtetutë, për shkak të ngutisë dhe gabimeve në implementim do të vlerësohen nga komuniteti ndërkombëtar si cenim i të drejtave të komuniteteve jo shumicë. Për vlerësime të tilla, druaj se do të paguajmë çmim të lartë politik”, ka thënë Mustafa për “Indeksonline”.