Mustafa: Veprimet e Serbisë tregojnë mosgatishmëri për marrëveshje me Kosovën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se veprimet armiqësore të Serbisë në raport me shtetin e Kosovës, tregojnë se ky shtet nuk është në linjë me kërkesën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
Në profilin e vet në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se Serbia po krenohet me dëmet që po ai shkakton Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Postimi i plotë i Mustafës:
Veprimet e Serbisë, sidomos fushata për ç‘njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, sikurse edhe fushata kundër Kosovës për anëtarësim në Interpol, flet se ky shtet fqinj nuk është i interesuar të normalizojë marrëdhëniet me vendin tonë e aq më pak ta njoh shtetin e Kosovës.
Serbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare.
Politikat e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndeshë me një sjellje të tillë. Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke.
Prandaj do të ishte mirë të lihet anash mentaliteti i trashëguar armiqësor dhe të punohet për të kultivuar një mjedis në të cilin punojmë për prosperitet të qytetarëve tanë.
/Epoka e re/