Mustafa, Veselit: Ejani të matemi në zgjedhje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se bashkëpunimi për dialog me Serbinë nuk mund të bëhet duke e akuzuar LDK-në se po lufton për pushtet dhe kolltukë.
Mustafa përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kryetari i PDK-së dhe zëvendësi i tij krekoseshin dhe vazhdojnë të krekosen se e rrëzuan qeverinë e drejtuar nga LDK-ja, ku ishin edhe vetë, sepse nuk kishte guxim të merr vendime të mëdha.
“Ne u themi atyre sot, urdhëroni ju dhe merrni vendime të mëdha, nëse mundeni”, ka shkruar Mustafa.
“LDK ju fton: ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës, me përfshirje të gjerë dhe platformë që merr besimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.
Postimi i plotë i Mustafës:
Bashkëpunimi për dialog me Serbinë nuk mund të bëhet duke e akuzuar LDK-në se po lufton për pushtet dhe kolltukë.
Në fakt oreksi për pushtet dhe zhveshja nga çdo normë e përgjegjësisë e PDK-së dhe Kryetarit të saj me organizimin e mocionit të mosbesimit së bashku me ata që e kallën Kosovën për dy vjet me radhë, që na gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës, me shishe mollotovi, që na sulmuan shtëpitë dhe familjet, e sollën vendin në këtë gjendje ku jemi. Pa një mazhorancë qeverisëse, me një qeveri e cila çdo ditë merr vendime (të mëdha) skandaloze mbi vendimet skandaloze të ditës paraprake.
Kryetari i PDK-së dhe zëvendësi i tij krekoseshin dhe vazhdojnë të krekosen se e rrëzuan qeverinë e drejtuar nga LDK, ku ishin edhe vetë, sepse nuk kishte guxim të merr vendime të mëdha. Ne u themi atyre sot, urdhëroni ju dhe merrni vendime të mëdha, nëse mundeni!
Për LDK-në problemi nuk qëndron as te pushteti as te kolltukët kur është fjala të temat me interes të vendit. Deputetët tanë e votuan marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. E votuan për interes të qytetarëve, jo për merita të koalicionit qeverisës. Sepse krejt Kosova e di se kush e pengoi demarkacionin dhe liberalizimin e vizave. E penguan me kauza të rrejshme dhe veprime të dhunshme ata që sot qeverisin me vendin.
LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson. Ne e themi qartë se nuk ikim nga përgjegjësia jonë për vendin, por rrjedhimisht nuk ndajmë përgjegjësi me ata që u treguan të papërgjegjshëm. As nuk bëjmë marrëveshje me njerëz, të cilëve nuk iu besojmë.
LDK, dhe unë si kryetar i saj, do të dëshironim që të ekzistonte një nyje e besimit ndërmjet forcave politike në Kosovë. Pa besim reciprok nuk ecin temat e mëdha.
LDK ju fton: ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës, me përfshirje të gjerë dhe platformë që merr besimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit. IM