Mustafa vizitoi pikën e kalimit kufitar në Vërmicë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa së bashku më drejtorin e Policisë Kufitare, Shaban Guda, kanë vizituar Pikën e Përbashkët të Kalimit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në Vërmicë-Morinë, për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes për ndërtimin e pikave të përbashkëta dhe kontrollin e përbashkët kufitar.
Me këtë rast, ministri Mustafa shprehi përkushtimin e MPB-së për lehtësimin e kalimit kufitar përmes kësaj Pike të Përbashkët Kufitare, duke kërkuar që të zbatohen standardet e kontrollit kufitar.
“Pika e Përbashkët e Kalimit Kufitar Vërmicë-Morinë është pika më e frekuentuar kufitare sepse paraqet lëvizjen kufitare në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo pikë veçanërisht është e ngarkuar gjatë sezonit veror dhe për këtë arsye jemi këtu që mbështesim kalimin e lehtësuar përmes kësaj pike”, ka deklaruar ministri Mustafa.
Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, prej muajit janarit të këtij viti kanë funksionalizuar me financim të Bashkimit Evropian, Pikën e Përbashkët të Kalimit Kufitar Vërmicë -Morinë.