Mustafa: Votoni për LDK-në, votoni për një të ardhme më të ndritur
Kandidati i LDK-së për deputet, Besian Mustafa, ka ftuar qytetarët që të dielën të votojnë LDK-në.
Gjatë një konference për media, Mustafa u ka bërë thirrje qytetarëve që të angazhohen maksimalisht në orët e fundit të fushatës, duke inkurajuar pjesëmarrjen masive në zgjedhje.
“Tani është koha juaj, populli i madhërishëm i Kosovës, të flisni me miqtë tuaj, me familjet tuaja, të siguroheni që të gjithë të dalin të votojnë për LDK-në, të dalin të votojnë për ndryshim, të dalin të votojnë për një të ardhme më të ndritshme për Kosovën”, ka thënë Mustafa.
Ai ka paralajmëruar dy tubime të LDK-së, duke filluar nga ai i sontëm në Podujevë, në orën 18:00, ndërsa nesër tubimi përmbyllës i fushatës në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në të njëjtën orë.
“Sonte nga ora 6 pasdite ejani në tubimin tonë në sheshin e Podujevës. Në Podujevën e LDK-së, në themelet e kështjellës së LDK-së. Ndërsa nesër ejani në tubimin më të madh të kësaj fushate, tubimin përmbyllës të kësaj fushate, në Prishtinë, në Sheshin Skënderbeu nga ora 6 pasdite. Ejani me familjen tuaj, me miqtë tuaj, me fqinjët tuaj dhe me gjithsecilin që njihni.”, është shprehur Mustafa.