Mustafa: Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut, obligim ndaj demokracisë së Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar Enver Maloku, në 22-vjetorin e vrasjes së tij,
Me këtë rast, Mustafa ka thënë se Maloku i takon plejadës së intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve më të guximshëm të Kosovës, raporton “Epoka e re”.
“Në natën e acartë të 11 janarit 1999, tinëzisht ia ndalën punën dhe angazhimin zërit të lirisë, Enver Malokut. Ata që nuk e deshën çlirimin e Kosovës, vranë veprimtarin Enver Maloku, por asnjëherë nuk e vranë dhe nuk e ndalën veprën e tij të madhe. Enver Maloku i takon plejadës së intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve më të guximshëm të Kosovës që nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealet e mëdha për një shtet të lirë dhe demokratik”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se kontributi i Malokut në drejtimin e Qendrës për Informimin e Kosovës ka qenë i pazëvendësueshëm. Mustafa ka thënë se gjatë viteve të ’90-ta Qendra për Informimin e Kosovës shërbente si agjenci kombëtare e lajmeve, e cila përmes informacioneve palëkundur, fuqishëm dhe me guxim të jashtëzakonshëm në kohën e okupimit serb, informoi dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar mbi veprimet e regjimit të Millosheviqit për krimet e rënda dhe tragjike që po ndodhnin në Kosovë.
“Enver Maloku mbetet model i shkëlqyeshëm i gazetarëve dhe atdhetarëve të Kosovës, që pa asnjë ngurrim, me një përkushtim dhe vendosmëri të pafund dhe me dashuri ndaj vendit, punuan pa ndalur për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Njerëzve të mëdhenj si Enver Maloku, u shënohet vetëm data e lindjes, sepse ata lindin për të mos vdekur kurrë. Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve tjerë nuk është vetëm detyrim ndaj familjes dhe LDK-së, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, shtetit ligjor dhe drejtësisë në vendin tonë. Ashtu siç e quante presidenti historik Ibrahim Rugova, qoftë i përjetshëm kujtimi, për zëdhënësin e Pavarësisë, Enver Malokun!”, është shprehur Mustafa.