Mustafi: Nuk dua ‘luftë’ me Arsenalin
Mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi, pas shumë spekulimeve gjatë afatit kalimtar të verës lidhur me largimin nga “Emirates Stadium”, ka thënë se nuk do të fillojë një “luftë” me skuadrën e Arsenalit për të ardhmen e tij.
Trajneri Unai Emery kishte paralajmëruar Mustafin të gjejë një ekip të ri gjatë verës, por ai nuk u largua dhe tash trajneri Emery ka paralajmëruar se Mustafi mund të ketë të ardhme në klub. Ish-reprezentuesi i Gjermanisë bëri paraqitjen e tij të parë këtë sezon duke luajtur tërë ndeshjen në fitoren 3-0 ndaj Eintracht Frankfurt në Ligën e Evropës.
“Kurrë nuk kam qenë në mesin e atyre që fillojnë një luftë sepse diçka nuk funksionon”, ka thënë Mustafi. “Gjithmonë kam thënë, nëse është e mundur jam i gatshëm të bëjë hapin tjetër. Nëse jo, do të vazhdoj të luaj futbollin tim. Babai im, që është edhe menaxher i imi, ka biseduar me klubin. Jam futbollist i Arsenalit dhe kam edhe dy vite në kontratën time”, ka shtuar Mustafi.