Mustafi: Për të ardhmen vendosi pasi të kalon koronavirusi
Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi ka thënë se nuk ka menduar për asnjë moment për të ardhmen e tij në klubin londinez dhe se nuk do të bëjë këtë deri në fund të krizës me koronavirus.
Mustafi, njëjtë si lojtarët tjerë të Arsenalit, po mundohet të mbajë formën duke stërvitur individualisht. Londra është bllokuar të hënën për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Ish-reprezentuesi i Gjermanisë është kritikuar shumë nga tifozët e Arsenalit, por ka pasur ngritje të formës në ndeshjet e fundit. Ai ka luajtur vetëm 18 ndeshje këtë edicion.
Pritet që Mustafi të largohet në verë nga Arsenali. Por mbrojtësi i qendrës thotë se e ardhmja e tij është gjë sekondare në kohën e krizës globale të shëndetësisë.
“Ne jemi në situatë që të gjithë janë të brengosur për gjendjen aktuale e jo për të ardhmen individuale”, ka thënë Mustafi për Sky Deutchland.
“Është vështirë të mendoj për të ardhmen personale. Asnjë nga ne nuk e di çka do të ndodhë në të ardhmen dhe kur mund të luajmë sërish. Kështu që pa e kaluar këtë kohë të vështirë dhe të kthehemi në fushë, unë nuk mund të mendoj për gjëra si këto. Për momentin nuk mendoj për këtë. Po ashtu klubi ka gjëra më të rëndësishme se për të vendosur të ardhmen time”, ka thënë Mustafi.